Bankat Në Shqipëri Shpresojnë Të “Përfitojnë” Nga Kriza Greke

/, Ekonomi/Bankat Në Shqipëri Shpresojnë Të “Përfitojnë” Nga Kriza Greke

Bankat Në Shqipëri Shpresojnë Të “Përfitojnë” Nga Kriza Greke

Kriza greke dhe paniku i krijuar mbi sigurinë e depozitave që gjendet në sistemin bankar të fqinjit tonë jugor ka sjellë gjatë vitit të fundit një fluks të pazakontë transfertash të kursimeve të emigrantëve shqiptarë në atdhe, duke krijuar çrregullime në tregun e këmbimit valutor dhe duke i shtyrë bankat të mendojnë se si të përfitojnë nga ky fenomen.

Disa banka kanë filluar të krijojnë produkte të posaçme dhe janë angazhuar në fushata reklamash që kanë për synim të thithin në formën e depozitave paratë që emigrantët po largojnë nga Greqia.

“Transferojini paratë tuaja përmes nesh, nuk ju mbajmë komision në pritje”, thuhet në reklamën e njërës prej bankave. Nga Greqia, gjatë vitit të fundit, kanë fluturuar mbi 70 miliardë euro depozita, rreth një e treta e të gjitha depozitave që gjenden në bankat e këtij vendi, ndërsa të dhëna informale nga sistemi bankar sugjerojnë se vetëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti, në Shqipëri kanë hyrë rreth 500 milionë euro nga Greqia. Ky fluturim i kursimeve të emigrantëve drejt atdheut, ka rritur depozitat në sistemin bankar nga njëra anë dhe ka shkaktuar prani të pazakontë të euros në tregun e këmbimit valutor.

Javën e kaluar, Banka e Shqipërisë ndërhyri në tregun valutor duke blerë euro në këmbim të lekut, me qëllim që të shmangë forcim të shpejtë të monedhës sonë dhe përhapjen e ndonjë paniku të mundshëm. Burime bankare bënë të ditur se ndërhyrja e fundit të BSH-së u krye të premten, kur u blenë euro në kuotën 138.9 lekë. Këto blerje duket se shmangën forcimin e shpejtë të lekut, por jo tërësisht. Të premten, euro u këmbye për 138.6 lekë sipas kursit fiks të Bankës së Shqipërisë, nga 139.5 lekë që ishte një javë më parë.

Ekspertët në të katër anët e botës kanë deklaruar gjatë javës së fundit se pasiguria politike në Greqi bën që për depozituesit të “ketë kuptim transferimi i kursimeve drejt vendeve më të sigurta”, por nuk i kanë sugjeruar njerëzve drejtpërsëdrejti marrjen e një mase të tillë. Grekët që kanë depozita të konsiderueshme në nivelin 25 mijë apo 50 mijë euro, mund të zgjedhin t’i dërgojnë paratë e tyre nëpër bankat zvicerane, apo ato ndërkombëtare që ofrojnë shërbime të kësaj natyre si ABN AMRO apo HSBC.

Këto banka ofrojnë shërbimin e menaxhimit të pasurive, por vetëm për klientët që disponojnë shuma të konsiderueshme parash. Për depozitorët e vegjël, zgjidhja e vetme që mbetet është që t’i mbajnë paratë në shtëpi, ndërkohë që për emigrantët shqiptarë, një zgjidhje tjetër është që t’i sjellin në Shqipëri.

[custom_frame_center]Bankat në Shqipëri shpresojnë të "përfitojnë" nga kriza greke[/custom_frame_center]

 

Burimi: Shqip

Data e publikimit: 21.05.2012

 

By | 2012-05-21T12:37:26+00:00 21/05/2012|Bankat, Ekonomi|