Depozitat, Shqipëria Ka 78 Mijë Milionerë

/, Ekonomi/Depozitat, Shqipëria Ka 78 Mijë Milionerë

Depozitat, Shqipëria Ka 78 Mijë Milionerë

Rritet me 1 për qind numri i të pasurve. 58% e parave në banka, në duart e 5% të depozituesve. Raporti i Agjencisë së Depozitave: Mbi 1.5 milionë kanë kursime.Shqipëria sot ka më shumë milionerë se një vit më parë dhe tendenca që një numër i vogël individësh të kenë shumicën e parave vijon të theksohet.

Shifrat tregojnë se paratë e depozituara në banka në masën 58 për qind të totalit janë në duart e 5 për qind të depozituesve. Të dhënat e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2011 reflektojnë një rritje të supermilionerëve krahasuar me një vit më parë. Për vitin 2011, numri i atyre që kanë depozitë mbi 2.5 milionë lekë është afërsisht 78 mijë individë, çka korrespondon me 5 përqindëshin e deklaruar nga ASD. Një vit më parë, vetëm 4 për qind e depozituesve kishin depozita mbi 2.5 milionë lekë dhe kjo kategori depozituesish kishte në duar 55 për qind të të gjitha parave në sektorin bankar. Nga ana tjetër, individët që kanë një depozitë deri në 2.5 milionë lekë janë 95 për qind e totalit të depozituesve dhe ata kanë 42 për qind të parave që janë sot në banka. Një vit më parë, ata që kishin depozita deri te limiti 2.5 milionë lekë zinin 96 për qind të totalit të depozituesve, dhe me ç’duket një numër i vogël e kanë kaluar këtë cak, duke u pozicionuar tek supermilionerët. Gjatë raporti-mit në Komisionin e Ekonomisë ditën e djeshme, drejtoresha e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Silvana Sejko, u shpreh se në dhjetor të vitit 2011 depozitat e individëve që janë objekt i skemës së kësaj agjencie arritën në 7.36 miliardë dollarë. “Në totalin e depozitave të sistemit bankar, pjesën më të madhe, 85 për qind e depozitave janë të individëve, nga të cilat pjesën më të madhe e zënë depozitat në lekë dhe diferencën depozitat në valutë. Në fund të 2011-s, depozitat kanë qenë në shifrën 736 miliardë lekë dhe 47 për qind e tyre janë në valutë. Individët që kanë depozita të cilat janë subjekt i skemës së mbuluar arrijnë në 1.5 milionë”, u shpreh Sekjo. Nëse marrim si referencë faktin që në fund  të vitit depozitat arritën 7.36 milionë dollarë, atëherë fare thjesht na rezulton që supermilionerët shqiptarë kanë në dorë 58 për qind të këtij totali që korrespondon me 4.3 miliardë dollarë. Pra, një milioner ka një depozitë mesatare 55 mijë dollarë. Në anën tjetër kemi individët me kursime më modeste deri në 2.5 milionë lekë, të cilët kanë 42 për qind të depozitave apo 3.1 miliardë dollarë, çka korrespondon me një mesatare prej 2 mijë dollarësh për depozitë. Pesha e depozitave subjekt i skemës së sigurimit është 85 për qind e totalit në sistemin bankar, kurse depozitat e siguruara përfaqësojnë, sipas raportit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, 67 për qind të depozitave të individëve. “Referuar ecurisë së depozitave të individëve për periudhën njëvjeçare dhjetor 2010-dhjetor 2011, vërehet një rritje e tyre me 15 për qind, kurse depozitat e siguruara u rritën me 11.8 për qind”, vlerëson ASD.

[custom_frame_center]Depozitat, Shqipëria ka 78 mijë milionerë[/custom_frame_center]

Burimi: www.panorama.com.al

Data: 15.05.2012

 

By | 2012-05-15T14:19:55+00:00 15/05/2012|Bankat, Ekonomi|