Ekonomia në një vit: Rriten eksportet, t’kurret kredia, kërcënon defiçiti buxhetor

//Ekonomia në një vit: Rriten eksportet, t’kurret kredia, kërcënon defiçiti buxhetor

Ekonomia në një vit: Rriten eksportet, t’kurret kredia, kërcënon defiçiti buxhetor

Tirana: Viti që sapo kemi lënë pas, ka qenë më i vështiri, ndoshta që nga 1997, kohë kur ekonomia shqiptare vuajti pasojat e krizës së piramidave. Rritja ekonomike e pritshme, sipas burimeve zyrtare do të jetë rreth 1.2%, më e ulëta e dekadës së fundit. Në fakt, ritmet e rritjes së ekonomisë janë zvogëluar ndjeshëm që nga 2008 (që shënoi një zgjerim prej rreth 8%), teksa vendi filloi të prekej gradualisht nga kriza financiare që nisi në Amerikë e pastaj u kthye në një krizë globale. Më pas, me krizën që nga erdhi në derë, me fqinjin Greqi që rrezikoi të falimentonte e Italinë që u tkurr ndjeshëm, kriza na goditi edhe më keq. Po cilat kanë qenë zhvillimet kryesore të ekonomisë në shifra për vitin 2013.

Eksportet

Eksportet kanë qenë sektori që ka udhëhequr rritjen ekonomike për 2013-n. Për 11 mujorin, shifrat e fundit që janë të disponueshme, kompanitë shqiptare kanë shitur jashtë vendit rreth 224 miliardë lekë, me një rritje prej 15% në krahasim me të njëjtën periudhë. Eksportet e “minerale, Lëndë djegëse e energji” u rritën me 31% për janar-nëntor 2013 duke arritur në 91 miliardë lekë dhe duke përbërë zërin kryesor të eksporteve vendase, me rreth 40% të totalit. Prej dy vitesh ky grup-mall po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e eksporteve të larta të naftës nga kompania Bankers Petroleum. Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë vijuar me tendencën pozitive të këtij viti, pas rënies prej rreth 4% me bazë vjetore vitin e kaluar. Për periudhën janar-nëntor 2013, ato u rritën me 11.5% në rreth 64 miliardë lekë, duke përbërë 29% të totalit të eksporteve dhe duke përmirësuar vazhdimisht ritmet e rritjes përgjatë muajve të fundit. Sektori i vetëm me ecuri negative për eksportet ishte grupi i materialeve të ndërtimit e metaleve, që ranë me 13% me bazë vjetore në 32 miliardë lekë për periudhën janar-nëntor. Që nga maji, ky grupmall ka njohur vetëm rënie, kryesisht si rrjedhojë e performancës negative të tullave drejt Kosovës dhe çelikut.

Importet

Ndryshe nga eksportet, importet kanë shënuar rënie të vazhdueshme duke dëshmuar për konsum dhe investime të tkurrura, që kanë mbizotëruar përgjatë gjithë vitit 2013. Importet kanë shënuar një rënie prej 5% me bazë vjetore për periudhën janar-nëntor, Importet në total arritën në 457 miliardë lekë për 11 mujorin, duke u tkurrur me gati 24.2 miliardë lekë, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është tkurrja e parë e importeve që nga viti 2009, kur ato u reduktuan me rreth 3% me bazë vjetore, si rrjedhojë e krizës financiare globale që preku dhe vendin tonë në atë kohë. Grupmalli kryesor, ai i “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë”, ka shënuar rënien më të thellë me 18.8 miliardë lekë, apo 18%, duke arritur në 82 miliardë lekë. Edhe grupi tjetër kryesor, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, një tregues direkt i investimeve në ekonomi, është tkurrur me 7.7 miliardë lekë, apo 8.7% në rreth 80 miliardë lekë për 11 mujorin. Frenimin e ndërtimit e reflekton tkurrja e grupmallit “material ndërtimi dhe metale”, që ka rënë me 5.3 miliardë lekë, apo 8.6%, në 57.3 miliardë lekë. Një tjetër tregues direkt i frenimit të konsumit në ekonomi është rënia e importeve të ushqimeve, pijeve e duhanit, që është zvogëluar me rreth  1.3 miliardë lekë, në rreth 84 miliardë lekë.

Kredia

2013-a ka shënuar një ecuri tepër negative porsa i përket kreditimit të ekonomisë. Bizneset dhe individët e kanë paur shumë të vështirë që të marrin një financim për të investuar, përdorur për kapital qarkullues, për të blerë nj shtëpi, apo për nevoja të tjera të konsumit. Totali i kredisë për ekonominë në fund të muajit nëntor arriti në rreth 541 miliardë lekë, duke shënuar  rritje me rreth 0.3%, apo rreth 1 miliardë lekë, në raport me një muaj më parë.Në krahasim me fundin e vitit 2012, huaja për ekonominë është tkurrur me 2.5%, apo rreth 14 miliardë lekë. Një vit më parë, ndryshimet përkatëse ishin plus 2% dhe 10 miliardë lekë. Kjo është ecuria më negative, që prej më se një dekade, kur sistemi bankar po vuante problemet e ristrukturimit të bankave të atëhershme shtetërore. Arsyet e kreditimit të ulët lidhen si me kërkesën e dobët të biznesit, që ka frenuar investimet, ashtu dhe nga shtrëngimi i standardeve të kreditimit nga bankat. Kjo e fundit duket të jetë më e fortë se rënia e kërkesës, teksa Banka e Shqipërisë ka pranuar se tkurrja e huasë nga bankat po ndikon në lulëzimin e kredisë informale. Ndërkohë, bankat kanë filluar muajt e fundit pastrimin e bilanceve të bankave nga kreditë e këqija, veprim që ka ndikuar si në daljen e sistemit me humbje për herë të parë në një dekadë, ashtu dhe në rënien e stokut të kredisë dhe në shtimin e huave të humbura në sistem. Gjithsesi, Banka e Shqipërisë e vlerëson pozitiv këtë proces, pavarësisht efekteve afatshkurtra që po jep në treguesit e huasë.

Depozitat

Në krahasim me fundin e 2012-s, kursimet në total janë rritur me rreth 20 miliardë lekë, apo 2.2%, tërësisht si rrjedhojë e shtimit të depozitave në lekë, ndërsa ato në valutë kanë qëndruar në vend. Me bazë vjetore (nëntor 2013/nëntor 2012), depozitat ishin 20 miliardë lekë, apo 2.2% më të larta, duke qenë tre herë më të ulëta në raport me një vit më parë, ku ndryshimet përkatëse ishin  7.8% dhe 60miliardë lekë. Ndikimin kryesor në ngadalësimin e depozitave e ka dhënë ulja e kursimeve në valutë. Me bazë vjetore ato janë reduktuar me 1.3%, apo 6 miliardë lekë. Kursimet në monedhën vendase janë shtuar me  26 miliardë lekë për të njëjtën periudhë.

Remitancat

Për nëntë muajt e 2013-s, të ardhurat që emigrantët dërgojnë në familjet e tyre në Shqipëri ishin në nivelet më të ulëta historike, në 345 milionë euro, me një tkurrje prej 32% me bazë vjetore, duke reflektuar si tendencën ciklike, ashtu dhe krizën që po kalojnë Greqia dhe Italia, shtetet ku ndodhet pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë. Trendi rënës i remitancave pritej për shkak të lëvizjeve ciklike (pas 20 vitesh emigrantët fillojnë e shkëpusin lidhjet nga vendi mëmë), megjithatë ai është përshpejtuar për shkak të krizës që po përjetojnë Greqia dhe Italia, që kanë lënë mijëra shqiptarë të papunë.

Te ardhurat buxhetore

Në vitin e ndërrimit të pushteteve, ecuria e të ardhurave buxhetore ka qenë e dobët, me një tendencë negative. Të ardhurat në buxhet arritën në 265 miliardë lekë për periudhën janar-tetor 2013, duke qenë 2.7% (rreth 7.4 miliardë lekë) më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, sipas Ministrisë së Financave. Për 10-mujorin, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 183 miliardë lekë, me një rënie prej 5% apo 9.6 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (për 9-mujorin këto shifra ishin përkatësisht 6.5%, apo 11.2 miliardë lekë). Pas rishikimit të buxhetit, i cili kishte vendosur një planifikim më konservativ, të ardhurat për 10-mujorin rezultojë rreth 1.7 miliardë lekë më shumë se plani. TVSH-ja vijon të jetë zëri që në vlerë absolute ka rendimentin më negativ në mbledhjen e të ardhurave buxhetore, duke ndikuar në gati 76% të rënies. Sipas të dhënave nga financat, të ardhurat nga TVSH ishin rreth 90 miliardë lekë në fund të 10-mujorit, duke u tkurrur me 7.6%, apo 7.3 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përmirësim ka pasur në mbledhjen e akcizës, e cila arriti në rreth 29.6 miliardë lekë, me një rënie prej 3.5% apo 15 miliardë lekë, në raport me periudhën janar-tetor 2012. (ndryshimet përkatëse për 9- mujorin ishin minus 8.9% apo 2.5 miliardë lekë). Edhe tatim fitimi zbriti me 1.4 miliardë lekë, apo 6.3%, në 12.5 miliardë lekë.

Shpenzimet dhe deficiti buxhetor

Totali i shpenzimeve për 10-mujorin ishte rreth 320 miliardë lekë, duke rezultuar 7.1% apo 21.3 miliardë lekë më shumë, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për 10-mujorin, me të ardhurat që ishin gati 7.4 miliardë lekë më pak me bazë vjetore dhe shpenzimet që ishin 21.3 miliardë lekë më shumë se janar-tetori 2012, deficiti buxhetor u rrit me 28.7 miliardë lekë me bazë vjetore për periudhën në fjalë (për 9-mujorin rritja e deficitit ishte 32.5 miliardë lekë). 2013-a ka sjellë dhe një rritje të lartë të deficitit, i cili vlerësohet të shkojë në 68% të PBB-së, nëse do të përfshihen dhe borxhet që shteti u ka bizneseve.

[custom_frame_center][/custom_frame_center]

Burimi: www.24-ore.com

Data e publikimit: 01.01.2013

By | 2014-01-02T11:38:00+00:00 02/01/2014|Ekonomi|