Shkatërruesit E Mjedisit, Të Paprekshëm Nga Organet E Drejtësisë

//Shkatërruesit E Mjedisit, Të Paprekshëm Nga Organet E Drejtësisë

Shkatërruesit E Mjedisit, Të Paprekshëm Nga Organet E Drejtësisë

Prishtinë, 17 maj – Vlera e gjobave të faturuara për vitin 2011, për gurthyesit dhe eksploatuesit ilegalë të zhavorrit ka qenë 1 milion e 371 mijë euro, ndërsa inkasimi i tyre ka qenë shumë i ulët, gjithsej166 mijë euro.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) është shprehur i pakënaqur me punën e gjykatave në Kosovë dhe me vendimet që ato i kanë shqiptuar. Madje, sipas këtij, institucioni, gjykatat në Kosovë po i stimulojnë kompanitë e ndryshme që të mos i respektojnë ligjet dhe se po argumentojnë se shkelja e ligjeve sjell përfitime.

“Nga këto aktgjykime të cilat nuk janë në proporcion të drejtë me veprën penale të shkaktuar të cilat nuk e përmbushin funksionin parësor të dënimit- qëllimin e dënimit.

Nëse nisemi nga analiza ekonomike e së drejtës do t’i bjerë kështu – kryesit e këtyre veprave penale vendosin me krye ketë vepër penale kur nga kryerja e veprës penale dobia ekonomike do të ishte më e madhe se dënimi i shqiptuar për atë vepër penale”, thuhet në raportin e punës së KPMM-së për vitin 2011, të prezantuar në mbledhjen e Komisionit të Zhvillimit Ekonomik, të mërkurën.

Deputetët, anëtarë të Komisionit, kanë pasur shumë pyetje rreth veprimtarisë së KPMM-së, ndërsa shqetësimi kryesor i tyre ka qenë lëshimi i licencave, marrja e tyre, dhënia e gjobave dhe sidomos ndalja e punës së gurthyesve dhe eksploatuesve të zhavorrit që kishte ndodhur në vitin 2011. Por, në raportin e KPMM-së, të cilin e ka dorëzuar në Kuvend, problem kryesor thuhet të jetë pikërisht operimi i operatorëve ilegalë, që punën e tyre e zhvillojnë gjatë natës, apo gjatë vikendeve.

“Problemet që më së tepërmi e ngarkojnë punën dhe aktivitetin e kësaj agjencie vijnë nga operatorët ilegalë, të cilët po e rëndojnë edhe mbarëvajtjen e punës së të gjithë atyre që veprimtarinë e vetë e kryejnë në mënyrë legale”, thuhet në raportin e KPMM-së. “Jemi optimistë realë se me një angazhim maksimal të të gjitha institucioneve që ndërlidhen me këtë fushë, do të arrijmë që edhe operatorët ilegalë t`i fusim në suaza të kornizave ligjore”.

Kryetari i Bordit të KPMM-së, Ahmet Tmava, ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të ndalojë çdo ngarkesë me zhavorr, në mënyrë që të dihet prejardhja dhe të dihet nëse është i pajisur me kupon fiskal, sepse në këtë mënyrë, sipas tij, do të minimizohet aktiviteti i ilegalëve.

“Tashmë po vërehen përmirësime, sepse po kemi një përkrahje të policisë, por kjo duhet të jetë edhe më e madhe që kjo dukuri të futet dhe të rregullohet siç e parashohin ligjet në fuqi”, ka thënë Tmava.

Ish-ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Lufti Zharku, e ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i tërhequr në mënyrë arbitrare të gjitha licencat për gurëthyesit dhe eksploatuesit e zhavorrit. Ai ka shtruar pyetjen se si është e mundur që në mënyrë arbitrare t’i tërhiqen licencat atyre kompanive të cilat kanë bërë investime dhe kanë punuar sipas rregullave. Me të njëjtën gjuhë ka folur edhe kolegu i partisë së tij, Hashim Deshishku, i cili ka pyetur se kush e mbulon amortizimin e mjeteve të rënda që kanë pushuar gjatë kohës së pezullimit.

Kryetari i Bordit të KPMM-së, Ahmet Tmava, ka thënë se rikthimi i licencave është bërë vetëm për ato kompani të cilat i kanë plotësuar kushtet sipas ligjit. E kthimi i licencave, sipas tij, është bërë për të evituar varësinë nga tregu i Serbisë, pasi ishte rritur dukshëm importi i zhavorrit nga ky shtet pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Legjenda: Komisioni i Pavarur i Minierave dhe i Mineraleve (KPMM) është shprehur i pakënaqur me punën e gjykatave në Kosovë dhe me vendimet që ato i kanë shqiptuar. Madje, sipas këtij institucioni, gjykatat në Kosovë po i stimulojnë kompanitë e ndryshme që të mos i respektojnë ligjet dhe se po argumentojnë se shkelja e ligjeve sjell përfitime.

[custom_frame_center]file_23[/custom_frame_center]

Burimi: www.koha.net

Data e publikimit: 1706.2012

By | 2012-05-17T10:23:51+00:00 17/05/2012|Mjedisi|