Prishtinë, 30 maj – Rritja ekonomike prej 3-4 për qind është tregues se Kosova është vend i sigurt për investime të jashtme, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Raiffeisen Bank, Robert Wright, në debatin për rolin e investimeve të huaja, i cili është organizuar nga Universiteti AAB. Sipas Wright, sistemi bankar i Kosovës është më i qëndrueshmi aktualisht në Evropë.
“GDP-ja është rritur për 3-4 për qind dhe mendoj se është më e larta në Evropë, pavarësisht krizës financiare. Kjo e bën Kosovën një vend shumë të sigurt për investime”, ka thënë drejtori i Raiffaisen Bank.
Duke folur për sistemin bankar, Wright ka thënë se ai është në një gjendje shumë të mirë, ndoshta më të mirën në Evropë, pasi në total ka 2 miliardë euro depozita. Ai ka përmendur se si banka të caktuara komerciale janë duke dhënë përqindje shumë të larta të normave të interesit për depozita.
“Raiffaisen Bank që nga viti 2002 është e koncentruar në përkrahjen e privatizimit në Kosovë, që nënkupton se janë përkrahur investime në Kosovë dhe krijimi i vendeve të punës”, ka nënvizuar ai.
Drejtori i përgjithshëm i IPKO-s, Robert Erzen, ka thënë se që nga hyrja e Telekom Sllovenia në Kosovë janë investuar më se 200 milionë euro. Këto investime sipas tij janë bërë me qëllim të rritjes së infrastrukturës së telefonisë mobile, fikse dhe të internetit në Kosovë, por edhe të platformës televizive. Ai tha se ajo çfarë ka bërë në tregun e telefonisë mobile është se kanë ulur çmimet në treg, por edhe kanë përmirësuar cilësinë e infrastrukturës komunikuese në Kosovë.
Autoritetet e vendit thanë se janë ndërmarrë një varg reformash dhe janë përmirësuar kushtet për investitorë, dhe se në Kosovë ka shumë shembuj të suksesshëm të investimeve të huaja. Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci, ka thënë se qeveria është përkujdesur për krijimin e një legjislacioni të mirëfilltë për sistemin financiar në mënyrë që të sigurohet një konkurrencë e shëndoshë. Sipas tij, janë bërë edhe hapa të tjerë për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes në Kosovë, përkatësisht përmirësimin e renditjes në raportin e Bankës Botërore.
“Objektiv tjetër i Qeverisë së Kosovës ka qenë që të ndryshojë strukturën e zhvillimit ekonomik duke pasur parasysh një pjesëmarrje shumë më të gjerë të sektorit privat. Në këtë drejtim ka tregues mjaft pozitivë të cilët mundësojnë ecjen përpara drejt zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane”, ka thënë ai. “Ky është një parakusht për një stabilitet të qëndrueshëm ekonomik dhe për krijimin e mirëqenies më të mirë sociale”.
Koci ka thënë se sistemi bankar është i qëndrueshëm duke e pasur parasysh krizën botërore të sektorit financiar. Megjithatë, ai ka qenë kritik ndaj bankave komerciale për nivelin kamatave që ato aplikojnë për kredimarrje.
[custom_frame_center][/custom_frame_center]
Burimi: www.koha.net
Data e publikimit: 30.05.2012