Një mëngjes jashtë kornizave të punës, por që në vetvete ka lobimin ishte ai i ditës së djeshme, i zhvilluar nga përfaqësues të projektit të gazsjellësit “TAP” me disa prej ambasadorëve të huaj të akredituar në vendin tonë. I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu. TAP ka intensifikuar takimet dhe vëmendjen rreth aktorëve të rëndësishëm, pasi edhe dita e përzgjedhjes së projektit që do të transmetojë gazin azer nga fushat e Shah Deniz po afrohet gjithmonë e më shumë. Përfaqësues të TAP-it shprehen të bindur që përballë konkurrentit tjetër, “NABUCCO”, projekti që kalon nëpër Shqipëri, Greqi dhe Itali ka avantazhin ekonomik duke qenë tri herë më i lirë sesa konkurrenti, ndërkohë që garanton edhe transport më të lirë. Marrëveshjen politike mes tri vendeve, Greqi, Shqipëri dhe Itali, ekipi për projektin “TAP” në Shqipëri e cilëson si mjaft të rëndësishme, porse mbetet tashmë të nënshkruhet edhe marrëveshja teknike. Kjo e fundit do të plotësonte edhe një tjetër “kusht”, duke i dhënë më shumë siguri projektit të gazsjellësit në sytë e investitorëve. Në Shqipëri, nëse TAP-i përzgjidhet si projekt fitues, do të investohen rreth një miliard euro, çka do të ishte një nxitje e mirë për ekonominë, madje përfaqësuesit e kompanisë që menaxhon projektin “TAP” shprehen të bindur që zbatimi i projektit do të ndikonte pozitivisht për gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Greqinë, që aktualisht është në krizë. Situatën që u paraqit në Pulia të Italisë pak kohë më parë, ku pati një farë “refuzimi”, përfaqësues të TAP-it në Tiranë nuk e quajnë një problem për projektin, pasi një reagim i tillë nuk është i pari, dhe jo vetëm për projektin në fjalë. Ajo çka realisht theksojnë ata është fakti që projekti parashikon minimizimin e efekteve mjedisore dhe garantimin e sigurisë, çka është thelbësore për projekte të kësaj natyre. Gazsjellësi “TAP” është përkrahur mjaft nga qeveria, e cila e sheh atë si një mundësi për gazifikimin e Shqipërisë, edhe pse kjo do të kërkojë shumë vite punë dhe investime të mëdha. Gazsjellësi “TAP”, 791 kilometra i gjatë, fillon në Komotini të Greqisë dhe përfundon në San Foca të Italisë. Nga realizimi i këtij projekti varet edhe projekti tjetër “IAP”, që parashikon lidhje me Kroacinë.
[custom_frame_center][/custom_frame_center]
Burimi: www.panorama.com.al
Data e publikimit: 07.11.2012