Të gjithë ata që duan të vizitojnë Amsterdamin, do të mund ta bëjnë këtë përmes fluturimeve direkte që mundëson linja ajrore holandeze “ArkeFly”, pjesë e TUI Group. Por, njëkohësisht kjo linjë e re shton mundësinë e më shumë turistëve, që duan të zbulojnë vendin tonë. Kompania ajrore holandeze do të operojë me këtë fluturim gjatë verës, një herë në javë. “ArkeFly” do të përdorë avionin “Boeing 737” për këtë fluturim dhe sipas TIA pritet të ofrojë kontribut të konsiderueshëm për turizmin në Shqipëri, duke sjellë më shumë vizitorë, veçanërisht nga Holanda. Në një ceremoni të organizuar me këtë rast ku merte pjesë dhe Ministri i Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve Visar Zhiti, drejtori i Përgjithshëm i operimeve në Tirana International Airoport, Rolf Castro-Vasquez, u shpreh entuziast lidhur me shërbimin e ri të ofruar në aeroport. “Ne jemi shumë të lumtur për fillimin e kësaj linje të re direkte midis Tiranës dhe Amsterdamit. Me shërbimin e ri besoj se po u ofrohet një linjë e favorshme dhe e rehatshme klientëve tanë. Mirëpresim kompaninë më të re në aeroport, duke qenë dhe krenarë për shërbimet tona cilësore që ofrojmë këtu. I urojmë mirëseardhjen turistëve që vijnë nga Holanda dhe atyre që fluturojnë drejt Holandës”, tha ai. Ministri Zhiti nga ana tjetër, vuri theksin në rëndëisnë që kanë nisma të tilla, për turizimin në vend. “ArkeFly” është një linjë ajrore holandeze, me bazë në Amsterdam dhe fluturon në më shumë se 70 destinacione të botës, duke përfshirë vendet e preferuara për pushime: Mesdheun, Karaibet, Afrikën, Azinë, Amerikën e Veriut dhe të Jugut.
[custom_frame_center][/custom_frame_center]
Burimi: www.panorama.com.al
Data e publikimit: 21.05.2013