UNMIK/Kosovo “Operon” Në Tregun E Kosovës

/, Industri, Markete/UNMIK/Kosovo “Operon” Në Tregun E Kosovës

UNMIK/Kosovo “Operon” Në Tregun E Kosovës

Prishtinë, 15 maj – Në tregun e brendshëm të Kosovë nuk ka hyrë asnjë produkt me mbishkrimin UNMIK/Kosovo, që nga data 1 maj kur ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Madje, Doganat e Kosovës as që kanë hasur produktet të tilla gjatë kësaj periudhe sa është në fuqi vendimi. Në tregun e Kosovës vazhdon të ketë produktet që mbajnë këtë mbishkrim, i cili është ndaluar me një vendim të Ministrisë së Tregtisë. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që produktet që hyjnë ilegalisht të vazhdojnë të kenë një mbishkrim të tillë.

Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë kishte marrë vendim që duke filluar nga data 1 maj të ndalohet importi i produkteve me mbishkrim në të cilin nuk shkruhet Kosovë, apo Kosovo. Ndërsa, subjekteve që më 1 maj kanë pasur stoqe u është dhënë mundësia që ato t’i shesin deri më 1 qershor.
“Duhet thënë se deri më tani Doganat e kanë respektuar në tërësi vendimin e MTI-së për moslejimin e hyrjes së mallrave që kanë mbishkrimin UNMIK/Kosovo”, ka thënë Huruglica për “Kohën Ditore”.

Doganat e Kosovës e kanë lëshuar urdhrin që duke filluar nga data 1 maj të mos lejohet hyrja e produkteve me këtë etiketim që është përdorur deri më tani në mallrat me origjinë nga Serbia. Urdhri, sipas drejtorit të Doganave, ka qenë që për ato ngarkesa që kanë ardhur në ditët e parë me mbishkrimin e ndaluar nga MTI-ja t’u jepet mundësia që të ndryshojnë ambalazhin nëse ka pasur mundësi teknike në terminal.

Por, Huruglica ka thënë se kompanitë e kanë kuptuar seriozitetin e institucioneve të Kosovës, pasi asnjë mall me mbishkrimin UNMIK/Kosovo nuk është paraqitur në kufi pas datës 1 maj.

“Më parë kemi pasur raste kur ka pasur mbishkrim Kosovo i Metohije, apo UNMIK/Kosovo. Por, që nga data 1 maj asnjë mall me mbishkrime të tilla nuk është paraqitur në kufi e lëre më të hyjë në Kosovë. Ndoshta kompanitë e kanë kuptuar seriozitetin e institucioneve të Kosovë, pasi ato janë përkujdesur që edhe në dokumente të shkruhet Kosova, apo Kosovo e ju si më parë”, ka thënë Huruglica.

Ndërkohë në maketet nëpër Kosovë vazhdon të ketë mallra të cilat kanë mbishkrimin UNMIK/Kosovo apo 1244/Kosovo. Madje vaji me origjinë nga Serbia, i cili ishte prodhuar në pjesën e dytë të muajit prill, mbante mbishkrimin UNMIK/Kosovo. Por, te disa prodhime të tjera vërehet se nuk kanë asnjë mbishkrim që ka të bëjë me Kosovën. Në etiketën e disa mëlmesave shkruante vetëm përmbajtja e tij, vendi i origjinës – Serbia, por nuk shkruante se kush ishte importues për Kosovën apo se vendi ku është eksportuar. E te disa produkte të tjera etiketa ishte dubluar, duke i vendosur mbi qesen e plastikës një letër që ndër tjera kishte edhe mbishkrimin shqip.

Por, ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë se tregtarët deri më datën 1 qershor duhet t’i shterin stoqet të cilat kanë mbishkrimin ku përkrah Kosovës është edhe emri UNMIK.

Ajo ka thënë se para se të merret vendimi është diskutuar me tregtarët, të cilët kishin kërkuar nja afat prej 3 muajve, mirëpo që ishte refuzuar.

“Në fund ishte vendosur që t’i jepnim vetëm një muaj kohë, pra data e fundit është 1 qershori. Më nuk kemi pasur ndonjë kërkesë shtesë nga tregtarët”, ka thënë Kusari-Lila.

Megjithatë, tregtarëve do t’u jepet edhe një mundësi tjetër për operim pas datës 1 qershor.

“Pas datës 1 qershor, eventualisht mund t’iu lejohet që në mallrat që kanë mbishkrimin UNMIK/Kosovo të vendoset një tiketë e re mbi tiketën ekzistuese, tiketë që duhet të jetë konform vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë”, ka thënë ajo.

Ministrja ka thënë se pas datës 1 qershor në rast se haset në produktet me mbishkrimin e ndaluar do të pasojnë gjobat.

“Ndërsa, ndaj subjekteve që tregtojnë produkte me këtë mbishkrim, pas datës 1 qershor 2012, do të merren masa konform ligjeve në fuqi. Gjobat për këto veprime janë prej dy mijë e deri në dhjetë mijë euro. Tani e tutje, në produkte, emri i shtetit importues duhet të jetë Kosovë apo Kosovo”, thuhet në vendimin e MTI-së.

[custom_frame_center]UNMIK/Kosovo “operon” në tregun e Kosovës[/custom_frame_center]

Burimi: www.koha.net

Data: 15.05.2012

By | 2012-05-15T12:23:36+00:00 15/05/2012|Ekonomi, Industri, Markete|