Vendimi, Hiqet TVSH Ndaj Importit të Makinerive Për Investime

/, Industri/Vendimi, Hiqet TVSH Ndaj Importit të Makinerive Për Investime

Vendimi, Hiqet TVSH Ndaj Importit të Makinerive Për Investime

Një nga vendimet që mori dje Task-Forca për Reformën Rregullatore është heqja e TVSH për makineritë dhe pajisjet. Rritet transparenca e prokurimeve publike. Ja të gjitha vendimet.

TVSH që vilet në dogana ndaj importit të makinerive dhe pajisjeve për investime do të hiqet. Ky ka qenë orientimi që kryeministri Berisha ka dhënë dje ndaj ministrit të Financave, Ridvan Bode, gjatë mbledhjes së Task-Forcës për Reformën Rregullatore. Pas takimit të zgjeruar konsultativ që zhvilloi ditë më parë me përfaqësues të biznesit, kryeministri Berisha thirri dje mbledhjen e Task-Forcës Rregullatore, për të rishqyrtuar hapat e rinj që pritet të vihen në zbatim për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë në të 11 treguesit e saj, nën fokusin e mendimeve dhe sugjerimeve të shprehura nga biznesi. Një nga këto masa është heqja e TVSH për makineritë dhe pajisjet. “Në kërkesat e tyre, – u shpreh Kryeministri, – kërkohet një thjeshtim I burokracive, rritje e mëtejshme e transparencës së procedurave. Evitimin e parapagimit në rastet më të mundshme, heqjen e TVSh-së për makineritë, eliminimin e çdolloj barriere] dhe reference në tregtinë me Kosovën, thjeshtimin e procedurave për mbylljen e biznesit dhe një seri mendimesh të tjera, të cilat i gjykoj të dobishme”. Një javë më parë qeveria mori një vendim për shtyrjen e pagesës së TVSH-së për makineritë dhe pajisjet në doganë për më shumë se një vit. Madje, në projektligjin e miratuar tashmë u dhanë disa orientime që TVSH për rimbursim në tatime të kalonte për shlyerje TVSHje në doganë. Mirëpo pa hyrë ende në fuqi ky projekt, dje Task-Forca për Reformën Rregullatore ka vendosur që të heqë tërësisht TVSH-në për ato që sjellin makineri për investime. Nga ana tjetër, TVSH nga ky zë është një e ardhur e konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe nuk dihet ende një mekanizëm që mund të kompensojë boshllëkun që krijohet në arkën e shtetit. Kryeministri Berisha vlerësoi të drejtë gjithashtu propozimin e dalë nga tryeza me biznesin për funksionimin e përbashkët të Këshillit të Biznesit dhe Këshillit të Punës, si Këshilli Kombëtar i Biznesit dhe Çështjeve Sociale. “Unë, – tha Kryeministri, – e gjej këtë një propozim shumë të drejtë, sepse tregu i punës, fleksibiliteti e standardi i tij janë të pashkëputura nga klima e biznesit. Ndaj t’i marrim edhe një herë me radhë e t’i shqyrtojmë një nga një kolonat, duke u përpjekur në ambicien më të mirë, për të kapur standardet më të mira që ekzistojnë në këtë aspekt”. Pas diskutimit një për një të të gjithë treguesve që lidhen me përmirësimin e klimës së biznesit, zvogëlimin e burokracisë dhe rritjen e transparencës, të gjitha institucioneve iu përcaktuan detyra e objektiva të reja, gjithmonë në drejtim të lehtësimit të të bërit biznes. Ndër vendimet e rëndësishme në lidhje me thellimin e reformave dhe përmirësimin e klimës së biznesit, Task-Forcë konsideroi sugjerimet dhe kërkesat e bëra nga biznesi në takimin e gjerë që ky i fundit pati me Kryeministrin një javë më parë. Në përfundim të takimit, Kryeministri theksoi se kjo Task-Forcë përfaqëson një përpjekje të re për të krijuar një klimë më të mirë biznesi, sepse ekonomia shqiptare ka një dinamizëm që duhet përshtatur me ekonominë globale. Burokracia është armiku i këtij zhvillimi, prandaj duhet luftuar në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë që tentakulat e saj të mos pengojnë biznesin.

[custom_frame_center]Vendimi, hiqet TVSH ndaj importit të makinerive për investime[/custom_frame_center]

 

Burimi: Mapo

Autor: Blerina Hoxha

Data: 11.04.2012

By | 2012-04-11T13:02:43+00:00 11/04/2012|Ekonomi, Industri|