Ekspedita e vdekjes: Autobusi në greminë, shuhen 11 studente, 26 të plagosura

//Ekspedita e vdekjes: Autobusi në greminë, shuhen 11 studente, 26 të plagosura

Ekspedita e vdekjes: Autobusi në greminë, shuhen 11 studente, 26 të plagosura

Orë pas ore ngjarja e katërt më e rëndë aksidentale që nga 1989. Emrat e studenteve. Vdes edhe shoferi i autobusit dhe i fejuari i njërës prej të shpëtuarave.

Mjeti po zbriste në dishezë në Qafën e Vishës. Hetim për kushtet e mjetit dhe infarkt shoferit.

Ndërpritet tragjikisht ekspedita e studentEve të vitit të tretë të degës së Gjuhë-Letërsisë në Elbasan. Udhëtimi që do të mbyllej në qytetin e Sarandës u kthye në një aksident fatal, në afërsi të Himarës, duke iu marrë jetën 13 personave dhe la të plagosur rëndë 26 të tjerë. Autobusi ku udhëtonin 39 veta doli nga rruga në vendin e njohur si Qafa e Vishës dhe u rrëzua në një greminë 100 metra të thellë. Veç shoferit 56-vjeçar Pëllumb Çela dhe të fejuarit të një prej vajzave, të gjitha udhëtaret e tjera ishin studente. Ngjarja fatale ndodhi rreth orës 16:00. Studentët ishin ndarë në dy autobusë, me rreth 80 udhëtarë gjithsej. Ndërsa autobusi i parë kishte mbërritur në Qeparo, i dyti, me targë EL 22 74 B, ende nuk i ishte afruar Himarës. Rreth 3 kilometra larg qytetit të Himarës, kur rruga nacionale pëson një zbritje të konsiderueshme, ndodhi dhe tragjedia. Autobusi i drejtuar nga 56-vjeçari është përplasur dy herë me bordurën anësore të rrugës dhe pas një frenimi të fortë, që zgjati disa metra, përfundoi në krahun tjetër. Bordura prej betoni dhe hekuri nuk e ka ndalur fatkeqësinë. Gomat e autobusit kanë shkatërruar pengesën për të përfunduar tërësisht në greminë. Mjeti ka pësuar disa rrotullime, për të përfunduar në thellësi përmbys dhe në gjendje komplet të shkatërruar. Fati i keq i udhëtarëve është mësuar menjëherë nga skena e aksidentit. Që nga lartësia e rrugës dallohej mjeti i copëtuar plotësisht, ndërsa jashtë kishin fluturuar çantat e objektet e studentëve. Dëshmitarë të tragjedisë kanë qenë udhëtarët e rastit në ato momente, të cilët kanë dhënë alarmin. Brenda pak minutash në greminë zbritën personat e parë që nxorën trupat në rrugë. Më tej, forca të shumta të Policisë së Vlorës, Sarandës, specialë dhe zjarrfikëse populluan zonën. Askush nuk e dinte nëse kishte apo jo viktima dhe sa. Të gjithë udhëtarët e autobusit u nxorën në lartësinë e rrugës e prej andej me shpejtësi u transportuan në qendrën shëndetësore të Himarës. Gjendja e rëndë angazhoi dhjetëra ambulanca dhe helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë e të Mbrojtjes për të shpëtuar të mbijetuarit. Ky ishte qëllimi i parë i forcave në vendngjarje, të cilët kontrolluan me imtësi mes hekurishteve të autobusit për persona të tjerë që mund të kishin ngelur viktima. Rreth orës 18:30 u deklarua se në autobus kishin qenë vetëm 39 persona, ku veç dy burrave (shoferit dhe të fejuarit të njërës prej vajzave), të tjerat ishin studente, që e kishin ekspeditën e djeshme pjesë të kurrikulës mësimore.  Drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku, deklaroi se një grup pune po heton për shkaqet e aksidentit tragjik. Ekspertiza në vendin e ngjarjes vazhdoi deri në orët e vona, për t’u ndërprerë për shkak të errësirës. Dyshimet e para flasin për disa pista që shkaktuan tragjedinë: drejtuesi i autobusit mund të ketë humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë dhe  kthesës para se të futej në urë; bllokimi i sistemit të drejtimit, si dhe një infarkt në zemër. Ekspertët thonë se në asfalt janë vënë re shenja frenimi, por sipas tyre, të dobëta. Tre prej personave të mbijetuar që u morën në pyetje nga policia deklaruan se shoferi ka qenë me shpejtësi. Pritet që sot në mëngjes hetuesit të kthehen në vendin e ngjarjes.

[custom_frame_center]Ekspedita e vdekjes: Autobusi në greminë, shuhen 11 studente, 26 të plagosura[/custom_frame_center]

Burimi: www.panorama.com.al

Data e publikimit: 22.05.2012

 

By | 2012-05-22T11:09:08+00:00 22/05/2012|Shqiperi|